Pika.alPika.al

VETJA DHE JETA

Nga perspektiva e traditës filosofike, rrënja më e thellë e vetes njerëzore është Intelekti i parë, që njeh çdo potencial të ekzistencës dukurore. Pikërisht ky Intelekt e lind gjithësinë në një proçes qendërikës, të ngjashëm me difuzionin e dritës. Sa i përket lëvizjes së njëkohësishme qendërsynuese, ajo shfaqet kudo që të shohim, sidomos te bimët dhe kafshët, që tre- gojnë jetë dhe vetëdije.
Duhet kujtuar se jeta aktualizon një gradë më intensive të realitetit, sesa mungesa e saj. Jeta është atribut i të Vërtetit, ndër gjurmët e së cilës janë koherenca e integrimi. Përkundrazi, mungesa e saj lidhet me shpër- hapjen dhe jokoherencën. Për më tepër, jeta nuk ekziston në të njëjtin rrafsh si gjërat e vdekura, inerte, materiale. Ne nuk mund ta analizojmë jetën në vetvete, por vetëm veprimtaritë, shenjat dhe gjurmët e saj. Në një kuptim të thellë, jeta është paraprakisht e padukshme dhe e përshpirtshme. Duke qenë se i ikën fiksueshmërisë, jeta i bindet më pak analizës matematikore dhe manipulimit teknologjik sesa gjërat trupore. Të qenit e saj në thelb e padukshme shpjegon përse biologjia nuk mund të jetë kurrë shkencë “e rëndë” dhe përse mjekësia do të përballet gjithmonë me problemin e përcaktimit të çastit të “vdekjes”.
Dija jonë e vërtetë për jetën është e dorës së parë, brenda nesh. Po ku e njohim ne tamam jetën? Jeta është në thelb e padukshme dhe e palokalizueshme, çka vlen edhe më tepër për vetëdijen, që rrok realitetin e jetës por që njëkohësisht ka të bëjë me një nivel më të lartë të qenies, edhe më larg pafrymësisë e më pranë të Vërtetit të Parë. Megjithatë, vetëdija e një kafshe ka kufizime të thekshme, që bien në sy sapo të përsiatemi rreth dallimeve mes mundësive njerëzore e shtazoreve. Në të vërtetë, kafshët s’e tejkalojnë dot vetëdijen joreflektuese të mjedisit të tyre. Përkundrazi, qeniet njerëzore e kanë potencialin për të lëvizur tej kufizimeve dhe shtrëngesave të rrafshit shtazor dhe reflektuar për veten që njeh.Me fjalë të tjera, qeniet njerëzore mund të synojnë “liri” nga kufizimet mjedisore - jo thjesht kufizimet fizike, por edhe shoqërore, politike e psikologjike. Në një aspekt shumë më të thellë, ata mund të përpiqen për liri nga të gjitha kufizimet dhe shtrëngesat. Për këtë, atyre u duhet të çrrënjosin ato, që budistët i quajnë “tre helmet”: zemërimin, lakminë, injo- rancën. Pengesat bazë ndaj lirisë janë papërsosmëritë e vetes, paaftësia e saj për ta aktualizuar realitetin e vet.

William C. Chittick
Shqiperoi: Edin Q. Lohja
© Pika.al 2016.