Pika.alPika.al

FILLIMET E XHELOZISË

Si lind xhelozia? Nga një tradhti e zbuluar, nga një vështrim i kapur fshehurazi, nga një dyshim? Absolutisht jo. Xhelozia lind te fëmija ashtu si emocionet. e ndjenjat e tjera dhe është e lidhur me dy faza të zhvillimit psikoseksual: fëmijëria e parë dhe kompleksi i Edipit, nga mosha 4-6 vjeç. Le t’i shohim ato nga afër.

Fëmijëria e parë: Plaga e atyre që u ka munguar dashuria

Vetëm. Në errësirë. Pa një përqafim, pa sigurinë e përkëdheljeve dhe të një zëri të ëmbël. Në fëmijërinë e parë, asaj që çdo fëmijë i ndruhet më shumë, është vetmia. E ngjashme edhe frika e të qenit i braktisur, është fantazma më e zakonshme e të rriturit xheloz, siç nënvizon psikiatri Aldo Carotenuto: “Frika se askush s’mund të na mbrojë dhe dyshimi i të qenit i braktisur dhe i refuzuar, janë makthet e fëmijërisë, por edhe fantazmat e moshës së pjekur”. Por, nëse lojërat e dashurisë janë të pafundme, ndoshta më të shumta janë ato të mosdashurimit. Këtë eshpjegon gazetarja Rosela Simone në një artikull që më ka bërë përshtypje: “Mbi të gjitha, një grua nuk arrin të jetojë dot pa. dashuri dhe e kërkon atë pa ndërprerje, edhe në mënyrën e gabuar”. Është e gatshme një mijë herë të mashtrohet, të pësojë mbi kurrizin e saj abuzime e dhunë psikologjike deri në dëshpërim. Mjafton të kujtojmë Ledi D., e bukur, e famshme, e pasur, e re e gati mbretëreshë, që arriti në çdo degradim: telefonata anonime natën Nënës Mbretëreshë, që e quante përgjegjëse për dështimin e martesës me Karlin, një fejesë për hakmarrje me të parin që takoi, kërcënimet për vetëvrasje vetëm që ai të mos e linte. Si është e mundur? Ndoshta sepse “dashuria është një demon i madh”, siç i thoshte Demosteni Sokratit, një demon i fuqishëm që ka tronditur jetën e shumë grave, të humbura në një marrëdhënie pa shpresa, të bindura se “sidoqoftë, është një dashuri”. La Simone citon më poshtë: “Plaga e atyre që janë të refuzuar”, një libër i hidhur por i rëndësishëm, në të cilin autori Peter Schellenbaum thekson se marrëdhëniet e gabuara, të përsëritura janë pasojë e një plagosjeje në origjinë, e një nevoje të fëmijës së mbetur i pashpërblyer dhe përbëjnë një lloj refreni të përsëritur. “Fëmijët, të cilëve u ka munguar dashuria, rriten të bindur se kanë një faj që i dënon me përjashtim të përhershëm nga parajsa e dashurisë”, vazhdon gazetari. Ata janë çorientuar nga një ndjenjë e shpallur, por e ndërthurur me dhunë, nga ajo frazë fatale që shqipton prindi: “Të ndëshkoj, sepse të dua”. Kështu që, në moshë të rritur, mohohet dashuria në thelbin e vet. Ose përjetohet gabimi në dashuri për të nxjerrë përfundimin e hidhur: “S’më do asnjeri”, ose “E pësova edhe kësaj radhe”. Njëlloj sikur fati të na dorëzonte te po ato plagë, te po ajo brengë, te po ajo dhunë e pësuar në fëmijëri. Megjithatë mund të bëhet diçka për të kapërcyer kaosin e ndjenjave.” (Vazhdon)

Willi Pasini
Shqiperoi: Luljeta Dino

© Pika.al 2016.