Pika.alPika.al

PAGJUMËSIA E FËMIJËVE

Mungesa e dëshirës për të fjetur te fëmijët është një problem që haset në shumicën e familjeve. Fëmija nuk dëshiron të flejë herët, ndërsa prindi insiston në të. Në familjet ku të dy prindërit punojnë, situata bëhet akoma më e vështirë. Dëshira për të ndenjur zgjuar në orët e vona të natës dhe dëshira për të fjetur deri në drekë, haset jo vetëm te fëmijët e vegjël në moshë, por gjithashtu edhe te adoleshentët. 
 
Por kjo “pagjumësi” mund të parandalohet më herët me regjimin e gjumit që mund t’ i mësohet fëmijës që në moshë të vogël. Nëse nuk ka ndonjë problem organik, kjo çështje mund të zgjidhet nga vetë prindi, e në rastin konkret, më shumë nga nëna. 
 
Pse fëmija kërkon flejë vonë? 
 
Në moshën nga 3 deri ne 6 vjeç, fëmijët, me kapriçot e tyre, kontrollojnë këmbënguljen e prindit. Ky lloj testi fokusohet në atë që prindërit kërkojnë të bëjnë më me insistim. Fëmija, duke treguar këmbëngulje dhe inat, mund të provojë vendosmërinë e prindit. Veçanërisht në familjet ku nëna dhe babai punojnë, fëmija, nga dëshira për kaluar kohë më të gjatë me ta, insiston të mos shtrihet herët. Familjarët duhet të jenë të kujdesshëm në lidhje me mjedisin e formuar në familje pak kohë para orarit të gjumit të fëmijës. Mos harroni: në një moment kur argëtimi në familje është në kulmin e tij, është pothuajse e pamundur të kërkoni nga fëmija juaj që ai të shkojë për të fjetur, pavarësisht se kjo është e drejtë. Përkundrazi, situata të tilla e shtyjnë fëmijën që të mendojë se ai më i diskriminuari në familje. Sidomos në një periudhë kur prindi kërkon t'i mësojë regjimin e gjumit fëmijes, duhet që para asaj ore, të krijohet një mjedis i këndshëm, të thuhet që pas gjysmë ore do të shtrihemi, të lihet televizori etj. Në prag të gjumit duhet gjithashtu që fëmija të mos zhvillojë lojëra me veprime aktive. Pagjumësia tek fëmijët që janë në moshën e shkollës mund të lidhet me stresin dhe frikën. Këto fenomene dhe të tjera ngjarje traumatike që ndodhin gjatë ditës, mund të shkaktojnë frikë dhe pagjumësi tek fëmija. Kjo situatë mund të përkeqësohet akoma më shumë në raste divorcesh apo xhelozitë në prag të lindjes së fëmijëve të tjerë. P.sh. kur lind një fëmijë i dytë në familje, i pari fillon të dyshojë se prindërit tashmë nuk do ta duan atë si më parë dhe do t’i përkushtohen më shumë fëmijës së porsalindur. Kjo mund të jetë një tjetër arsye që e shtyn atë të mos flejë gjumë apo të vuajë nga pagjumësia. Eshtë tepër e rëndësishme që prindi, në këtë moment, të kuptojë gjendjen në të cilën fëmija ndodhet. Këtu, përveç ngrohtësisë së prindit, nevojitet edhe shkathtësia dhe aftësia e prindit për kuptuar dhe marrë nën kontroll situatën. 
Një tjetër shkak mund të jetë edhe parregullsia e jetës familjare në kohen kur fëmija është ende i vogël. Nëse ai mësohet me një situatë te tillë, është e vështirë që të ndikosh tek ai për ta ndryshuar këtë parregullsi në vitet që vijojnë. 
 
 
Si mund të veprojmë, në mënyrë që fëmija ynë të fitojë një regjim gjumi? 
 
Për të nxitur gjumin tek fëmija, më parë, tregojini atij një përrallë, sigurisht, në përshtatje me moshën e tij. Nëse ka frikë, ndizni një abazhur gjumi në dhomën e tij, lëreni pakëz derën të hapur dhe vini pranë tij një lodër të vogël që atij i pëlqen. 
Së pari duhet të përgatitni një plan të përshtatshëm për orarin e gjumit të fëmijës, plan ky që duhet të ketë edhe kufizime të caktuara. Nëse fëmija në këtë rast merr një sinjal fare të vogël nga nëna apo babai, ai e përdor këtë pa asnjë lloj ngurrimi. Por, duhet gjithashtu që edhe me orarin e gjumit të mos ekzagjerohet shumë. Një gëzim familjar mund ta ndryshojë orarin e gjumit të fëmijës. Me raste, për të nxitur edhe veprime pozitive tek fëmija, mund të tolerohet zgjatja e orarit të gjumit
 
Insomnia tek adoleshentët 
 
Në moshën e fëmijërisë deri në adoleshencë, në raste jo të jashtëzakonshme, fëmijët nuk flenë gjumë jo se nuk ju flihet, por mendojnë se janë të rritur tashmë dhe dëshirojnë të flenë në orë të vona. Situata është e njëjtë edhe te adoleshentët, por ajo paraqitet më problematike. Adoleshentët e mundojnë trupin e tyre duke qëndruar zgjuar parë kompjuterit, mësuar ose duke shikuar televizor deri në orë të vona të natës, ndërkohë që organizmit të një adoleshenti i nevojitet shtatë deri ne nentë orë gjumë në ditë. Javët e para, organizmi i adoleshentit do ta kërkoje gjumin pas një orari të caktuar te nates, por neglizhenca e adoleshentit dhe konsumimi i kohës do ta kthejë këtë situatë në një gjendje kronike. Në vazhdimësi, trupi i tij do të jetë plogët, i pafuqishëm gjate ditës dhe në tij në maksimumin e aktivitetit të tij në orët e vona të natës.

© Pika.al 2016.