Pika.alPika.al

KRIZA E BOTËS BASHKËKOHORE

"Sigurisht nuk është e rastit që në kohën e sotme duket se aq shumë njerëzve u është ngulur në mendje ideja për “fundin e botës”; mund t’i vijë keq njeriut në një mënyrë, sepse ekstravaganca që del nga ky nocion i kuptuar jo përsosurisht dhe nga teket mesiane që janë fryrë në disa lagje, të gjitha nga ato shfaqje të mungesës së ekuilibrit mendor të kohës, vetëm sa e keqësojnë po këtë çekuilibrim deri në shkallën e cila kurrsesi nuk është e parëndësishme: por megjithatë është e sigurt se ai ankth tani është e dhënë që nuk mund të mohohet tërësisht. Nuk ka dyshim se qëndrimi më i pëlqyer që duhet përvetësuar, kur ballafaqohemi me çështje të këtij lloji, është që ato të hidhen plotësisht dhe thjesht si gabime të fantazive të pa kurrfarë rëndësie: ndonëse, na e merr mendja se edhe pse ato mund të jenë në të vërtet gabime, është më mirë, gjersa të njihen si të tilla, të hulumtohen arsyet e tyre dhe të kërkohet elementi i së vërtetës pak a shumë të shtrembëruar, të cilin, përkundër së gjithash, mund ta përmbajnë ato; gabimi, fundja, është diç që gëzon formë fare mohuese të ekzistencës; gabimi, në mënyrë absolute nuk gjendet askund dhe nuk arrin në asgjë, pos në shprehje të pakuptimtë. Duke i vështruar çështjet në këtë dritë, është lehtë të merret vesh se ky preokupim me “fundin e botës” lidhet ngusht me gjendjen e trazimit të përgjithshëm të mendjes me të cilën ne jetojmë sot: nëse një kuptim i zbehtë i diçkasë që vërtet i afrohet fundit të vet lejohet të veprojë në mënyrë të pakontrolluar mbi disa lloje të imagjinatës, ai në mënyrë shumë të natyrshme i çrregullon dhe në pjesën më të madhe i materializon shumë përfytyrimet, të cilat pastaj përjashtohen në formë ekstravagante, ashtu siç kemi vënë në dukje. Ky shpjegim, megjithatë, nuk ofron asnjë arsyetim të parapëlqimit të asaj ekstravagance; ose jo së paku, nëse ata njerëz mund të falen për arsye se futen në gabim pa vullnetin e tyre, duke qenë të paradisponuar për diçka të tillë nga gjendja mendore për të cilën ata nuk janë përgjegjës, gjë që mund të jetë arsye për ta falur vetë gabimin. Për më tepër, sa na përket neve, vështirë se mund të akuzohemi për lëshim të tepërt ndaj shfaqjeve pseudo-fetare të botës bashkëkohore më shumë se ndaj gabimeve të sotme në përgjithësi; disa njerëz, në të vërtetë, mund të jenë edhe të prirur të na qortojnë për gabime në drejtimin e kundërt, dhe ndoshta ajo që posa e thamë do t’u ndihmojë atyre të kuptojnë më qartë se që i përfytyrojmë këto çështje, duke u përpjekur, si zakonisht, për ta ruajtur të vetmin pikëvështrim që ka rëndësi, atë të së vërtetës sëpaanshme dhe me interes.
Në lidhje me këtë, megjithatë, duket diçka më shumë, sepse shpjegimi i thjeshtë “psikologjik” i idesë së “fundit të botës” dhe i shfaqjes së saj të tashme, ndonëse niveli i saj mund të jetë i saktë, nuk mund të konsiderohet si tërësisht joadekuat; të vendosej e kundërta do të shpiente në atë që të lejohej të ndikohej njeriu nga njëri prej atyre iluzioneve bashkëkohore kundër të cilit nuk humbin rastin për të protestuar. Siç kemi thënë, ka njerëz të cilët në mënyrë të zbehtë e kuptojnë fundin e pashmangshëm të diçkasë, pa qenë në gjendje të përshkruajnë as natyrën ose shkallën e asaj që po merr fund; duhet të pranohet se mbresa e tyre mbështetet në realitet, edhe pse ai mund të jetë i zbehtë dhe objekt i shpjegimeve të rrejshme dhe i shtrembërimeve të imagjinatës, sepse çfarëdo qoftë natyra e këtij fundi që po afrohet, kriza që duhet patjetër të arrijë kulmin duket mjaft qartë, kurse nuk mungojnë shenjat jodykuptimshe dhe lehtë të vështruara, të gjitha duke vënë në dukje përfundimin e njëjtë. Ky fund është pa dyshim jo “fundi i botës” në kuptimin absolut të fjalës, siç janë disa njerëz të gatshëm ta interpretojnë këtë shprehje, por së paku është fundi i një bote: dhe nëse po merr fund pikërisht qytetërimi perëndimor në formën e tij të tashme, mund të kuptojë njeriu lehtë si ata që janë mësuar të mos përfytyrojnë asgjë tjetër jashtë atij qytetërimi dhe për të cilët ai paraqet “qytetërimin” e pakualifikuar, duhet të shpjerë në besimin se çdo gjëje do t’i vijë fundi me të dhe se zhdukja e tij do të thotë, në të vërtetë, “fundi i botës”.

Rene Guenon "Kriza e botes bashkekohore"
marre nga René Guénon
LUZAC AND COMPANY LTD.
46 Great Russell Street, London W.C. 1 1975
Perktheu: Prof. Dr. Vejsel Nuhiu
© Pika.al 2016.