Pika.alPika.al

PSIKOLOGJIA E USHQYERJES

Si mund të blihet dhe të shitet qielli dhe ngrohtësia e tokës? Ne nuk jemi pronarë të freskisë së ajrit dhe kthjelltësisë së ujit. Çdo gjilpërë e ndritur pishe, çdo grimcë rëre në rrjedhën e lumit, çdo mjegullirë në
errësirën e pyllit, janë të shenjta në mendimet dhe jetën e popullit tim. Uji i kristaltë që rrjedh përrenjve dhe lumenjve, nuk është vetëm ujë, por edhe gjaku i gjyshërve tanë. Gurgullima e ujit është zëri i babait të babait tim. Lumenjtë janë vëllezërit tanë, ata na shuajnë etjen, na ushqejnë fëmijët.
Jemi pjesë e kësaj toke dhe ajo është pjesë e jona! Barërat erëmirë janë vëllezërit tanë. Dreri, kali, shqiponja e madhe, janë vëllezërit tanë. Majat e bleruara, kullosat e pasura, trupi i ngrohtë i ponit (kalit të vogël - mëzi) dhe njeriu, të gjitha i përkasin të njëjtës familje.
Grykësia e tij (njeriut) do ta shkatërrojë tokën dhe pas tij do të lërë shkretëtirë. Çka vlen jeta nëse njeriu nuk mund të dëgjojë klithmën e cjapit dhe llomotitjen e bretkosave në kënetë? Pasuria më e madhe e njeriut është ajri. Ai siç duket nuk e vëren ajrin që thith. Për ne ajri është shumë i rëndësishëm. Ajri e ndan shpirtin e vet me jetën. Era që gjyshit tim i dha frymën e parë, do të marrë edhe frymën e tij të fundit.
Nëse ju shesim tokën, duhet ta ruani si të shenjtë, si vend në të cilin edhe njeriu mund të thithë erën e ëmbëlsuar me erën e luleve të fushës. Duhet të silleni ndaj kafshëve si ndaj vëllezërve tuaj. Ç’është njeriu pa kafshë? Sikur të zhdukeshin kafshët njeriu do të vdiste nga vetmia e shpirtit. Çfarëdo që t’i ngjajë kafshëve, së shpejti e gjen edhe njeriun. Gjithçka në këtë botë është e lidhur me njëra-tjetrën.
Duhet t’i mësoni fëmijët tuaj që nën këmbë kanë hirin e gjyshërve tanë dhe se toka është e pasuruar me jetën e stërgjyshërve tanë.
Duhet t’i mësoni fëmijëve tuaj atë, që ne u kemi mësuar fëmijëve tanë, se tokën e kemi si nënë. Çfarëdo që t’i ndodhë tokës, do t’i ndodhë edhe fëmijëve të saj.
Nëse njeriu pështyn tokën, ka pështyrë vetveten. / Sazan Guri

(vazhdon)
© Pika.al 2016.