All posts by admin

KALIGRFIA FIN1

QENDRA DHE PERIFERIA

Për trupin e etshëm, qendra është aty ku uji ndodhet
Zemra në prani të të dashurit, edhe pse rreh më shpejt, nuk lodhet,
Për shkak të dashurisë shpirti e vë trupin në lëvizje,
Mjafton ta kujtosh Të Dashurin dhe e lehtë bëhet çdo nisje,
Etja kur takohet me ujin, e humbet ekzistencën
Shpirti kur takon Të Dashurin, e humbet prezencën
Takimi është Qendra, ndarja periferia,
Trupit i bën derman uji, shpirtit veç Dashuria. ~ Fatmir Muja

NJE PENA

UDHËTO ME TË TJERËT, POR QËNDRO ME VETEN!

Mos u nis i fundit, mos arrij i pari
Fillimet dhe fundet nuk janë te shtegtari
Mes teje dhe tjetrit kur nis krahasimin
Egoja do trillojë fundin dhe fillimin
Edhe pse pranë vetes edhe të tjerë ke
Në rrugëtimin tënd ti i vetëm je
Nga hapat e të tjerëve, gjurmët e tua s’mbeten
Udhëto me të tjerët, por qëndro me veten! ~ Fatmir Muja

TRENDAFILI NJE

PO S’E NDJEVE, MË MIRË HESHT

Kush thotë shumë duke thënë pak
Të ka afër kur është larg
Në çdo çast dashurohet
Është i rrallë, por shpesh kujtohet
Është me ty kur s’je me të
Kur copëtohet, mbetet Një
Këtu s’ka gjë për t’u marr vesh
Po s’e ndjeve, më mirë hesht. ~ Fatmir Muja

(2022)

Mjalti dëshmon se ç’ka brenda bleta

Kur zemra ka dështuar të dojë, mendja do të gjykojë
Të metat e veta te secili do t’i vështrojë
Zemrat janë pasqyra ku veten e shohim
Ashtu siç vetë jemi, të tjerët i njohim
Kur tjetrin e fyejmë, e rëndojmë, e shajmë
Botës i dëshmojmë në zemra çfarë mbajmë
Miliarda gjallesa ka shpalosur Jeta
Mjalti dëshmon se ç’ka brenda bleta
Veç me ëmbëlsi gjithnjë mbush kosheret
Ëmbël për veten, ëmbël për të tjerët
Çdo bimë, çdo lule, çdo bar e çdo pemë
E bën barku i saj ilaç e melhem
Për hoje s’i duhen gërshërët, as penjtë
Ajo vetë shpalos Gjeometrinë e Shenjtë
Epo natyrisht, për gjithë këtë urtësi
I duhet një thumb, pse ç’kujtove ti?
Çdo gjallesë ka diçka për vetëruajtje
Jo që t’i shkaktojë tjetrës ndonjë vuajtje
Ç’Dashuri Hyjnore aman paske ndier
Duke qenë “i dashur” të lëndosh të tjerë
Dashurinë Hyjnore brenda kush e mban
Lëndohet e lutet, por tjetrin s’e shan. ~ Fatmir Muja

HOJET-PER-BALLINE-803x420

Ullini-TIVAR

CAK NUK KA ASPAK

Shkova përtej cakut që dikush të arrijë në cak
Me cakun që të kuptohet se cak nuk ka aspak
Egoja shikon kah toka, shpirti qiellin vështron
Toka ka caqe e kufij, po qiellin, me çfarë e kufizon?!
Ja sa e lehtë është dhe sa të rëndë e shohim
Qielli nuk kufizohet, veç tokës kufijtë ia njohim
Kufijtë nuk bëjnë punë, kur nga e Pakufishmja vijmë
S’ka gjëra të pamundura, nëse caqet nga mendja i fshijmë. ~ Fatmir Muja

Ullini-TIVAR