Pika.alPika.al

MOSHA E ZHVILLIMEVE TË VRULLSHME

Kur fillon dhe përfundon adoleshenca?

Është një pyetje që gjithmonë është shtruar dhe vazhdon të shtrohet jo pa interes. Adoleshenca është një fazë e jetës së secilës qenie njerëzore, në të cilën individi përfiton aftësi e njohuri për përgjegjësitë e të rriturit. Përvojat emocionale dhe ndryshimet trupore marrin ngarkesë të lartë drejt vendosjes së raporteve të reja me botën e veten.
Kur nis e mbaron adoleshenca, nga mosha 11-18 vjeç apo 20-25 vjeç? Për këtë e mjaft probleme të tjera ka ide dhe mendime të ndryshme, të cilat janë me nuanca të veçanta, por në trajtim të përgjithshëm nuk kanë dallime thelbësore. Adoleshenca është periudha e jetës, e cila përfshin vitet ndërmjet fëmijërisë dhe moshës së rritur. Ajo shoqërohet me ndryshime rrënjësore, të cilat kanë të bëjnë jo vetëm me rritjen biologjike, por edhe me zhvillimin mendor, sjelljen, komunikimin etj. Në pikëpamje psikike, adoleshenca është një periudhë krize, që përfshin njëkohësisht ndarje, shkëputje, zhvillim e vetaktivizim të vrullshëm në një klimë shndërrimesh e shpërthimesh të mëdha.
Adoleshenca nuk është thjeshtë një stinë e jetës, por një mënyrë ripërtritjeje e psikikës, ku pasiguria dhe ankthi për të ardhmen, ndikimi i instinkteve, nevoja për përkujdesje dhe dëshira për liri, japin të gjitha së bashku mundësitë e shfaqjes mbi të cilat mund të zhvillohet vetë jeta. Por në kushte të ndryshme jetese, kemi vështrime të ndryshme. P.sh., në vendet e zhvilluara nga ana ekonomike rritja biologjike në ditët tona bëhet më shpejt nga ç’ndodhte vite më parë, edhe shkollimi që u ofrohet të rinjve është i ndryshëm, është më i gjatë. Pavarësia ekonomike arrihet më vonë, përtej moshës 20 vjeç. Ndonëse pjekuria biologjike është realizuar, statusi i të rriturve ende nuk u njihet. Vetë të rinjtë nuk ndjehen të rritur. Ata, siç i trajton shoqëria, janë në rrugën drejt formimit.
Pra, adoleshenca përfaqëson një kohë kalimtare nga fëmijëria në pjekurinë relative. Ajo është një moshë kritike ndryshimesh dhe përjetimesh, prandaj ndikimi i faktorëve shoqërorë në të është shumë i rëndësishëm. Kohëzgjatja e adoleshencës mund të mos korrespondojë e njëjtë për të gjithë njerëzit përsa u takon karakteristikave të tyre të ndryshme të zhvillimit.
Në vështrim të përgjithshëm, adoleshenca është një dukuri e përbashkët për të gjithë individët, por natyrisht për secilin individ ose grup individësh ka ndryshime, që i ndeshim rëndom. Ato ndodhin për shkak të nivelit kulturor, periudhës historike dhe veçorive individuale të çdo subjekti. Duke u mbështetur në këto argumente, mund të arrijmë në përfundimin se adoleshenca pavarësisht mospërputhjeve kohore në mënyrë të plotë, përbëhet apo kalon në tri faza apo pjesë, të cilat janë: paraadoleshenca, adoleshenca e hershme dhe adoleshenca e vonë.
Në etapën e parë, paraadoleshenca, që lidhet me rindërtimin e organizmit, zhvillimi fizik dhe fiziologjik nuk bëhet i njëtrajtshëm. Prandaj koha e pubertetit shfaqet jo në të njëjtën kohë, duke e shtrirë krizën. Ritmet e zhvillimit janë të larta, por në planin e formimit të personalitetit ka paqëndrushmëri të madhe, megjithëse bie në sy e shprehet ndjenja e të rriturit. Shfaqen dyzime e lëkundje në karakter, të rinjtë dashurojnë vrullshëm dhe urrejnë papritmas, binden, nënshtrohen, por edhe rebelohen, paraqiten të sjellshëm e idealistë, por edhe brutalë e materialistë. Ata manifestojnë gjendje të ngritur emocionale dhe pa u kuptuar shndërrohen në pesimistë e kokëfortë, jo rrallë hutohen, përfshihen nga ndjenja e të qenit i pavlefshëm (kjo ndikon të mbyllen në vetvete). Në këtë moshë zhvillohet të menduarit teorik refleksiv, shkallë-shkallë ngrihen në një nivel më të lartë veprimet mendore: analiza, sinteza, klasifikimi, përgjithësimi etj. Lindin elementet e logjikës së të rriturit, duke u ngritur cilësia e perceptimeve, të kujtesës dhe imagjinatës.
Adoleshenca e hershme është koha e vërtetë kalimtare ndërmjet paraadoleshencës dhe rinisë. Në këtë moshë krijohet një përfytyrim fillestar për orientimin profesional, gjë e cila krijon një tendosje e frikë, pavarësisht nga zgjedhjet që mund të bëhen. Gjatë saj marrin përparësi vlerat vetjake në krahasim me ndikimet e jashtme, ndërtohet plani jetësor dhe nevoja për intimitet është e papërballueshme. Ndjeshmëria emocionale e adoleshentëve është e lartë. Prandaj në këtë moshë shfaqen reagime të forta në çaste të papritura. Vlerësimi dhe vetëvlerësimi janë mekanizma nxitës, por në pranimin e tyre real ka luhatje të mëdha.
Ndryshimet fizike dhe emocionale të ndjeshme e të shpejta ndodhin në një hapësirë kohe të caktuar. Ato zgjasin deri në arritjen e autonomisë së plotë, atëherë kur vendosen raporte emocionale instinktive të shpejta me grupe të tjera dhe me mjedisin shoqëror. Megjithatë është disi e vështirë të
përcaktojmë kufirin kohor të mbylljes së adoleshencës. Frojdi e ka përcaktuar këtë afat kohën kur “adoleshenti është i aftë të dojë e të punojë,” ndërsa Erikson e përcaktoi si kohën kur i riu “është i aftë të përfshihet për një raport intim me një tjetër, duke realizuar një takim ndërmjet dy “unë-ve” të ndryshëm”. Pra, adoleshenca mbyllet kur individi është i aftë të krijojë raporte të qëndrueshme me veten, me grupin e afërt dhe gjithë mjedisin ku jeton. Ky koncept i bazuar në aftësinë e përshtatjes me veten, me të tjerët apo me botën, tregon si ndodhin ndryshimet, që e detyrojnë individin të sillet e të formohet në bazë të raporteve që ka me mjedisin ku bën pjesë, me grupin më të afërt dhe me shndërrimet e tij të brendshme. Adoleshenca mund të karakterizohet si fazë e kalimit nga bregu i frikës dhe i ankthit në atë të strukturës funksionuese të sigurisë së të të rriturit. Ky kalim nuk bëhet në një ditë, as në mënyrë të rrufeshme. Për të duhet të shmangen a të kapërcehen një mori pengesash një nga një dhe jo të grumbulluara në mënyrë absurde.
Një i ri, edhe pse është i gatshëm të jetojë i pavarur nëpërmjet punës së tij, ende trajtohet adoleshent dhe mbetet për një farë kohe nën ndikimin e të tjerëve, veçanërisht të prindërve të tij jo vetëm për forcën e zakonit, por për efekte të tjera, kryesisht psikologjike, shoqërore dhe ekonomike. Prandaj themi që adoleshenca vazhdon e zgjatet. Kjo na bën të bindemi që edhe pse arrihet mosha 20 vjeç, individi ende nuk e ka mbaruar këtë fazë kritike, pra ai nuk është i gatshëm të futet në botën e të rriturve. Pikërisht përballë kësaj zgjidhjeje ekziston rreziku i tërheqjes, veçanërisht kur të rinjtë nuk arrijnë të ndërtojnë raporte të drejtpërdrejta me realitetin. Për këtë arsye, në momente të tilla mund të paraqiten mundësi për t’u shfaqur te adoleshentët edhe prirje neorotike. Në të kundërt, ka nga ata të rinj që rriten përpara limiteve të caktuara kohore për arsye mbijetese, megjithëse kapacitetin, gjykimin e kritikën ende nuk e kanë të zhvilluar në nivelin e dëshiruar.
Një tipar tjetër i këtij ndryshimi, është rritja e adoleshentëve me shfaqje e prirje mbrojtëse, maniake e paranojake, dukuri këto të mundshme gjatë zhvillimit, të cilat shfaqen ose jo gjatë kësaj periudhe. Prandaj me të drejtë nga shumë studiues adoleshenca është përcaktuar si moshë e cila shoqërohet me probleme tepër të ndjeshme. (Vijon)
Ndue Kaza
© Pika.al 2016.